Vëllai i Ahmet Bajramit, Xhaviti, ishte vetëm 23 vjeç kur u vra në Masakrën e Mejës, një nga masakrat më të mëdha të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ai është një nga 377 viktimat e kësaj masakre, e cila ndodhi në prill të vitit 1999, në fshatin Mejë të Gjakovës.
Në një rrëfim për “Kallxo Përnime”, Ahmet Bajrami ka folur për dhimbjen e familjes së tij dhe për tragjedinë që goditi qindra familje të asaj ane. Ai ka treguar se mbetjet mortore të vëllait të tij u gjetën vite pas përfundimit të luftës, ndërsa dhimbja, siç thotë ai, ka mbetur e përjetshme.
Ahmeti rrëfen se Xhaviti kishte punuar për një kohë në Austri, ndërsa më pas ishte kthyer në Kosovë dhe kishte punuar si shitës në një dyqan. Sipas tij, familja nuk e kishte ditur se Xhaviti ishte inkuadruar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Filloi lufta dhe u desh ta lëshojmë fshatin të gjithë. Ai u pozicionua në Junik, ndërsa unë isha në Jasiq, ku ishin Agim Ramadani, Sali Çekaj e të tjerë. Kështu u ndamë. Ai shkoi për Kodrali, unë mbeta në Jasiq”, ka rrëfyer Ahmeti.
Xhaviti, në kohën kur u vra, kishte lënë pas dy fëmijë të vegjël: një vajzë 2-vjeçare dhe një djalë vetëm 1-vjeçar. Ahmeti thotë se dëshira më e madhe e vëllait të tij ishte që fëmijët të shkolloheshin dhe të kishin një të ardhme më të mirë.
“Për fëmijët thoshte gjithçka të bëjmë, t’i shkollojmë. Në rend të parë ishte shkollimi”, ka treguar ai.
Sipas rrëfimit të Ahmetit, personi i fundit që e kishte parë Xhavitin ishte nëna e tyre, natën kur forcat serbe e kishin marrë në Mejë. Ai thotë se më pas vëllai i tij ishte zhdukur pa lënë asnjë gjurmë.
“Për herë të fundit nëna e ka parë, në atë natë kur e kanë marrë. Në Mejë. E kishin marrë serbët”, ka rrëfyer Ahmeti.
Ai ka treguar se, sipas informatave që kishte marrë më vonë, natën kur dyshohet se u ekzekutua Xhaviti bashkë me qindra civilë të tjerë, nuk ishin dëgjuar krisma armësh. Në certifikatën e vdekjes, sipas tij, shkaku ishte konstatuar si vdekje nga armë të ftohta.
Pas masakrës, trupat e viktimave ishin marrë me kamionë dhe ishin dërguar në Batajnicë të Serbisë, ku pas luftës u zbulua një varrezë masive me qindra trupa të civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Rreth tre vjet pas përfundimit të luftës, në Batajnicë u gjetën edhe mbetjet mortore të Xhavit Bajramit. Ahmeti thotë se momenti kur u njoftua për identifikimin përmes ADN-së ishte një nga momentet më të rënda të jetës së tij.
“Herën e dytë kur më kanë thirrur në Prishtinë, që e kishin bërë ADN-në, ajo ka qenë më e vështira. Ajo ka qenë pushkë në shpirt”, ka thënë ai.
Ahmeti ka treguar se për këtë moment të rëndë fillimisht i kishte treguar vetëm djalit, për të mos e rënduar edhe më shumë pjesën tjetër të familjes.
Ai ka folur edhe për rastet kur, pas luftës, familjarët e personave të zhdukur ishin telefonuar nga persona të ndryshëm që u kërkonin para, kinse në këmbim të informatave për të afërmit e tyre.
Sipas tij, kishte raste kur familjeve u kërkoheshin mijëra euro, duke u dhënë shpresa të rreme se të afërmit e zhdukur ishin ende gjallë.
Në fund të rrëfimit, Ahmet Bajrami ka bërë apel që të gjithë ata që kanë informacione për personat e zhdukur t’i ndajnë ato me institucionet, në mënyrë që familjet të kenë mundësi t’i gjejnë dhe t’i varrosin më të dashurit e tyre.
“Është lehtësim i shpirtit kur i gjen ata, kur shkon dhe ua çon një lule”, ka thënë ai.
Sipas Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, gjatë vitit 2025 janë kryer gërmime në 32 lokacione në Kosovë, ku janë gjetur mbetjet mortore të 22 individëve, që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së fundit.
Që nga përfundimi i luftës, në katër varreza masive në Serbi janë gjetur rreth 1 mijë trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, ndërsa 1,567 persona vazhdojnë të figurojnë ende si të zhdukur.