Një rast i mashtrimit me kriptovaluta është zbuluar në Ferizaj, ku dy të rinj dyshohet se kanë mashtruar tre persona, duke u marrë mijëra euro me premtimin për shitjen e kriptovalutës USDT.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rasti ka ndodhur më 17 prill 2026, në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj. Të dyshuarit, Artan Limani dhe Redon Jahija, dyshohet se janë paraqitur rrejshëm si investitorë dhe posedues të kriptovalutës USDT, duke organizuar takim me viktimat E.F., A.F. dhe Rr.K.
Gjatë takimit, të dyshuarit dyshohet se i kanë vënë viktimat në lajthim dhe u kanë marrë gjithsej 12 mijë euro. Secili nga tre personat kishte dhënë nga 4 mijë euro, me qëllim blerjen e kriptovalutës, e cila dyshohet se nuk ekzistonte.
Pas raportimit të rastit, njësia e hetimeve ka ndërmarrë veprime intensive. Më 29 prill 2026, hetuesit kanë zbuluar se të njëjtit persona dyshohej se po përgatisnin një skemë të ngjashme mashtruese, kësaj radhe në rrugën “Ismail Reka” në Kaçanik, në një lokal të marrë me qira.
Policia ka ndërhyrë në momentin kritik, duke arrestuar fillimisht Artan Limanin në vendngjarje, ndërsa Redon Jahija është kapur pas disa minutash ndjekjeje në rrugën “Skënderbeu”.
Gjatë operacionit policor janë sekuestruar një makinë për numërimin e parave, një çantë e dyshuar për bartjen e parave dhe një veturë Golf 7, me të cilën dyshohet se ishte planifikuar largimi nga vendi i ngjarjes. Sipas hetimeve, targat e veturës i përkisnin një automjeti tjetër të markës Mercedes.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Mashtrimi”, sipas nenit 323 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Rasti është duke u hetuar, ndërsa autoritetet nuk e përjashtojnë mundësinë që nga kjo skemë të ketë edhe viktima të tjera.