Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka bërë një deklaratë të fortë gjatë podcastit The Rest Is Politics: Leading, ku ka folur për, siç thotë ai, sulmet personale dhe shpifjet që janë përhapur ndaj tij.
Vuçiç tha se kundërshtarët e tij kanë përdorur narrativa ekstreme për ta diskredituar, përfshirë edhe pretendime të rënda për familjen e tij.
Sipas tij, ndaj tij janë hedhur akuza se babai i tij “nuk është babai i vërtetë”, duke pretenduar se nëna e tij e kishte tradhtuar me një shqiptar dhe se, për këtë arsye, ai qenka “pro-shqiptar”.
Deklarata përmban referenca të ndjeshme etnike dhe akuza personale të pakonfirmuara, të cilat mund të shkaktojnë reagime në opinionin publik, sidomos për shkak të kontekstit të tensionuar të marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në rajon.
Vuçiç, përmes kësaj deklarate, ka tentuar të paraqesë se si, sipas tij, sulmet politike ndaj tij kanë kaluar në nivel personal dhe familjar.