Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka nisur hetimet ndaj tre personave, të cilët dyshohen për disa vepra penale që lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare, falsifikim dokumentesh dhe legalizim të përmbajtjes së rreme.
Sipas Prokurorisë, me urdhër të Gjykatës Themelore në Ferizaj është realizuar kontroll në shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të të pandehurve. Pas përfundimit të veprimeve hetimore, tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Rasti po hetohet nga Prokurori i Shtetit i Departamentit të Krimeve të Rënda, ndërsa të dyshuarit ngarkohen për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje në ndihmë”, “Falsifikimi i dokumenteve” në bashkëkryerje dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në njoftim, Prokuroria ka sqaruar edhe procedurën lidhur me sigurimin e mbrojtjes ligjore për dy nga të pandehurit, të cilët nuk kishin autorizuar avokat. Për këtë arsye, me urdhër verbal të prokurorit, është kërkuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës që të caktojë dy mbrojtës sipas detyrës zyrtare.
Prokuroria ka bërë të ditur se Zyra koordinuese e Odës së Avokatëve të Kosovës në Prishtinë fillimisht ka kërkuar emrat e të pandehurve dhe veprat penale për të cilat dyshohen, para se të dërgohen avokatët mbrojtës.
Sipas Prokurorisë, vonesat në realizimin e kërkesave të organeve të rendit mund të paraqesin pengesë në zhvillimin e procedurës hetimore.