Një rast i rëndë është raportuar në Prishtinë, ku disa vajza të mitura dyshohet se janë përfshirë në një sulm fizik ndaj një bashkëmoshatareje, ndërsa incidenti ka përfunduar edhe me dyshime për grabitje.
Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur më 22 prill 2026, rreth orës 12:50, në rrugën “Viktor Majer” në Prishtinë. Rasti është raportuar në polici pak minuta më vonë, rreth orës 13:05, si “rrahje në progres”.
Pas daljes në vendin e ngjarjes, njësia policore ka takuar viktimën e mitur me inicialet E.K., e cila ka deklaruar se ishte sulmuar fizikisht nga disa vajza që i njihte.
Nga veprimet hetimore dhe analizimi i video-incizimeve, dyshohet se në rast janë përfshirë disa të mitura. Gjatë incidentit, njëra prej të dyshuarave dyshohet se ia ka marrë viktimës me forcë shumën prej 5 eurosh, të cilën ajo e kishte mbi tavolinë.
Të dyshuarat janë intervistuar në prani të prindërve, përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale dhe avokatëve. Njëra prej tyre, për shkak se është nën moshën 14-vjeçare, është trajtuar sipas procedurave përkatëse nga QPS.
Me vendim të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Sulm” ndaj katër të dyshuarave, ndërsa ndaj njërës prej tyre si “Grabitje”.
Po ashtu, me vendim të prokurores kujdestare, të dyshuarat janë ndaluar për 24 orë.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar