Një zyrtar i Policisë së Kosovës është përfshirë në një rast të rëndë penal që ka të bëjë me vjedhjen e një veture në Mitrovicë.
Sipas raportimeve, bëhet fjalë për Bashkim Murtezin, pjesëtar i Njësisë së Komunikacionit Rrugor në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, i cili dyshohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale “Vjedhje e rëndë”.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se Inspektorati Policor i Kosovës, pas ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore, ka konstatuar dyshime të bazuara lidhur me përfshirjen e tij në këtë rast dhe ka rekomanduar suspendimin e menjëhershëm nga detyra.
Hetimet janë zhvilluar nga Njësia e Autokrimeve në Mitrovicë, në koordinim me Prokurorinë Themelore. Gjatë analizimit të provave, dyshohet se Murtezi ka ndihmuar autorin e veprës në realizimin e vjedhjes së veturës.
Rasti lidhet me një veturë të raportuar të vjedhur më 28 mars. Në hetime është përfshirë edhe djali i tij, Herolind Murtezi, i cili po konsiderohet si i dyshuari kryesor në këtë rast.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, Bashkim Murtezi është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet ndaj tij dhe personave të tjerë të përfshirë janë ende duke vazhduar.
Ndërkohë, IPK ka rekomanduar suspendimin e tij nga Policia e Kosovës, me arsyetimin se një masë e tillë është e nevojshme për zhvillimin e papenguar të hetimeve dhe për ruajtjen e integritetit institucional.
Rasti vazhdon të trajtohet nga organet kompetente.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.