28.04.2026
1 min read

Ferizaj, Prokuroria ndalon pesë persona, këta janë të dyshuarit për skemën milionëshe në Ferizaj


Gazmend Heta, rreth 60-vjeçar, Bojan Lazic, rreth 45-vjeçar, Feriz Ukshinaj, rreth 54-vjeçar, Naim Sadikaj, rreth 44-vjeçar dhe Jahi Maliqi, rreth 40-vjeçar

Një operacion i gjerë i Policisë së Kosovës ka çuar në zbulimin e një skeme të dyshuar të falsifikimit të dokumenteve dhe përfitimit të kundërligjshëm të pronave në rajonin e Ferizajt.

Pas një hetimi disamujor, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, më 28 prill 2026 ka zbatuar urdhërkontrollin e Gjykatës Themelore në tri lokacione: Ferizaj, Gjilan dhe Prishtinë.

Hetimet dyshohet se kanë zbuluar përdorimin e një identiteti të rremë, përmes dokumenteve të falsifikuara, përfshirë letërnjoftim të Serbisë, certifikatë lindjeje dhe certifikatë vdekjeje. Përmes këtyre dokumenteve, një person është paraqitur si pronar i parcelave në një fshat të Ferizajt.

Në këtë mënyrë, sipas hetimeve, janë siguruar certifikata pronësie për parcela me sipërfaqe totale prej 56 mijë e 411 metrash katrorë nga Zyra Kadastrale në Ferizaj.

Më pas, prona dyshohet se është bartur tek persona të tjerë përmes një autorizimi të përpiluar dhe nënshkruar në një restorant në Ferizaj. Një pjesë e pronës, me sipërfaqe prej 20 mijë e 458 metrash katrorë, dyshohet se i është shitur bashkëshortes së njërit prej të dyshuarve, ndërsa 9 mijë e 332 metra katrorë një personi tjetër, përmes kontratave të shitblerjes të realizuara tek i njëjti noter.

Gjatë bastisjeve, policia ka sekuestruar dokumente, fotografi dhe prova të tjera që dyshohet se lidhen me këtë rast.

Sipas Prokurorisë, noteri G.H. dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa të dyshuarit e tjerë dyshohen për “Falsifikim të dokumenteve”, “Legalizim të përmbajtjes së rreme” dhe “Blerje, pranim ose fshehje të sendeve të përfituara me vepër penale”.

Të gjithë të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë.

Hetimet për këtë rast janë në vazhdim.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Ndalohen tre të dyshuar në Ferizaj për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Next Story

Ekskluzive: Ky është noteri i arrestuar në Ferizaj!

Latest from Blog

Go toTop