Një model i ri i inteligjencës artificiale mund të rindërtojë harta të detajuara të presionit në shputat e këmbëve, duke përdorur formën e shputës dhe vetëm disa pika matëse.
Teknologjia është zhvilluar nga studiuesit e Universitetit të Queenslandit në Australi dhe mund të hapë rrugën për pajisje më të lira e më të qasshme për monitorimin e shëndetit të këmbëve.
Analiza e presionit plantar tregon se si shpërndahet pesha e trupit në shputë. Ajo përdoret për vlerësimin e ekuilibrit, mënyrës së ecjes, funksionit të këmbës dhe përshtatjen e shtrojave ortopedike. Zonat ku ushtrohet presion i lartë mund të jenë veçanërisht të rëndësishme te personat me diabet, të cilët rrezikojnë zhvillimin e plagëve në këmbë.
Në studim morën pjesë 35 të rritur të shëndetshëm. Rezultatet treguan se modeli e arriti saktësinë më të mirë duke përdorur 16 pika matëse, por ishte në gjendje të krijonte harta të dobishme të presionit edhe me vetëm dy pika.
Sipas studiuesve, kjo mund të ndihmojë në zhvillimin e shtrojave inteligjente me më pak sensorë, duke ulur koston, kompleksitetin dhe nevojën për pajisje të specializuara.
Megjithatë, teknologjia nuk është ende një mjet i gatshëm diagnostikues. Studimi u realizua vetëm te persona të shëndetshëm dhe matjet u kryen gjatë qëndrimit në këmbë, jo gjatë ecjes. Nevojiten prova të tjera te pacientët me diabet, deformime të këmbëve ose probleme në ecje.
Studimi u publikua në revistën shkencore Sensors. Universiteti i Queenslandit dhe studimi shkencor.