Një ndërhyrje e rrallë dhe tejet komplekse kirurgjikale është realizuar me sukses në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të QKUK-së. Një pacienti 23-vjeçar i është hequr nga kaviteti torakal një tumor me përmasa të mëdha.
Sipas Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), tumori peshonte 3.5 kilogramë dhe kishte përmasa rreth 27 centimetra në gjatësi dhe 17 centimetra në gjerësi.
Përmasat, lokalizimi dhe kompleksiteti i operimit brenda kavitetit torakal e kanë bërë ndërhyrjen veçanërisht sfiduese për ekipin kirurgjik. Operacioni është kryer nga ekipi i specializuar i Klinikës së Kirurgjisë Torakale.
SHSKUK-ja e ka cilësuar rastin si dëshmi të kapaciteteve profesionale dhe të bashkëpunimit multidisiplinar të stafit shëndetësor në trajtimin e rasteve të rënda kirurgjikale.
“Ky sukses i radhës dëshmon edhe një herë përkushtimin e lartë, profesionalizmin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer multidisiplinar të stafit të QKUK-së në trajtimin e suksesshëm të rasteve më të rënda dhe më komplekse kirurgjikale”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
Ndërhyrja ka përfunduar me sukses, ndërsa institucioni nuk ka publikuar hollësi të tjera për gjendjen shëndetësore të 23-vjeçarit pas operacionit.
