07.08.2026
1 min read

Pacientët me kancer që blenë vetë terapinë kërkojnë rimbursim, institucionet ende pa përgjigje

Pacientët me kancer metastatik të gjirit po përballen prej tre muajsh me mungesën e terapisë Palbociclib në Klinikën e Onkologjisë, ndonëse ky medikament është pjesë e Listës së Barnave Esenciale dhe duhet të sigurohet nga shteti.

Për shkak të mungesës së terapisë, disa paciente janë detyruar ta blejnë vetë ilaçin, duke shpenzuar mijëra euro për të mos e ndërprerë trajtimin.

Një paciente, e cila foli në kushte anonimiteti, tha se dy dozat e para i ka siguruar nga Gjermania për rreth 1,600 euro, ndërsa dozën e tretë ia kanë blerë familjarët nga Bosnja.

“Me një pension prej 150 eurosh nuk arrij t’i blej as vitaminat, e lëre më këtë terapi. Kam pyetur nëse mund të kompensohen shpenzimet, por më është thënë se nuk ka rimbursim”, ka deklaruar ajo.

Edhe pacientja Kimete Hoxha ka bërë të ditur se, pas tre muajsh pa terapi, është detyruar ta sigurojë ilaçin në mënyrë private përmes Shqipërisë.

Ajo tha se ndërprerja e trajtimit ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetësore dhe në përhapjen e metastazave.

Sipas avokatit Florim Shefqeti, mosofrimi i një bari që ndodhet në Listën e Barnave Esenciale përbën cenim të së drejtës për kujdes shëndetësor, të garantuar me Kushtetutë dhe me aktet ndërkombëtare që zbatohen në Kosovë.

Ai theksoi se pacientët kanë të drejtë të kërkojnë rimbursimin e shpenzimeve përmes procedurave gjyqësore, ndërsa institucionet përgjegjëse duhet të hetojnë arsyet e dështimit të furnizimit.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se përgjegjësia për furnizimin me Palbociclib i takon SHSKUK-së, ndërsa kjo e fundit nuk ka bërë të ditur nëse pacientët do të kompensohen për shpenzimet e tyre.

Megjithëse kontrata për furnizimin me këtë terapi është nënshkruar javën e kaluar me operatorin ekonomik fitues, Klinika e Onkologjisë ende nuk është furnizuar me ilaçin. Sipas kontratës, operatori ka afat edhe 24 ditë për ta realizuar furnizimin

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Studimi i Harvardit: Vitamina D mund të ngadalësojë plakjen biologjike

Next Story

Studimi: Probiotikët mund të ndihmojnë te dhimbjet e përsëritura të barkut te fëmijët

Latest from Blog

Go toTop