Valët e të nxehtit nuk ndikojnë vetëm në rehatinë tonë, por mund të paraqesin rrezik serioz edhe për shëndetin, veçanërisht gjatë aktivitetit fizik. Studiuesit paralajmërojnë se rritja e temperaturave mund të bëjë që njerëzit të lëvizin më pak, duke rritur rrezikun për probleme shëndetësore afatgjata.
Sipas ekspertëve, gjatë ushtrimeve në vapë trupi prodhon më shumë nxehtësi dhe përpiqet të ftohet përmes djersitjes. Ky proces e detyron organizmin të dërgojë më shumë gjak drejt lëkurës, duke zvogëluar sasinë e oksigjenit që arrin te muskujt. Si pasojë, lodhja shfaqet më shpejt dhe zemra ngarkohet më shumë.
Për të ulur rrezikun e goditjes nga nxehtësia, studiuesit rekomandojnë që aktiviteti fizik të zhvillohet në orët më të freskëta të ditës, si në mëngjes ose në mbrëmje. Po ashtu, këshillohet zgjedhja e ambienteve me hije, hidratimi i rregullt, ulja e intensitetit të ushtrimeve në ditët shumë të nxehta dhe pushime më të shpeshta.
Ekspertët sugjerojnë gjithashtu ftohjen e trupit para aktivitetit fizik, qoftë duke konsumuar pije shumë të ftohta, qoftë duke përdorur ujë të freskët mbi lëkurë. Organizmit i nevojiten rreth 7 deri në 14 ditë për t’u përshtatur me ushtrimet në temperatura të larta, proces që ndihmon në përmirësimin e tolerancës ndaj vapës.
Shenjat paralajmëruese si marramendja, të përzierat, lodhja e tepërt, rrahjet e shpejta të zemrës ose konfuzioni nuk duhen neglizhuar. Nëse shfaqen, aktiviteti fizik duhet të ndërpritet menjëherë dhe personi duhet të zhvendoset në një vend më të freskët për t’u ftohur.
Studiuesit theksojnë se aktiviteti fizik mbetet thelbësor për shëndetin, por gjatë periudhave me temperatura ekstreme duhet përshtatur mënyra, koha dhe intensiteti i ushtrimeve për të shmangur rreziqet që sjell i nxehti.