14.09.2026
1 min read

QKUK pa analizën për 24 shkaktarë të infeksioneve, pacientët detyrohen t’i drejtohen privatit

Në Shërbimin e Mikrobiologjisë Klinike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nuk kryhet paneli PCR gastrointestinal për 24 patogjenë, analizë që mundëson identifikimin e një game të gjerë shkaktarësh të infeksioneve të zorrëve, përfshirë bakteret, viruset dhe parazitët.

Sipas raportimit të KOHËS, kjo analizë nuk është ofruar në Shërbimin e Mikrobiologjisë Klinike që nga themelimi i tij, ndërsa pacientë kanë deklaruar se janë udhëzuar për ta kryer atë në sektorin privat.

Drejtoresha e Shërbimit të Mikrobiologjisë Klinike, Afërdita Alaj, ka bërë të ditur se aktualisht shërbimi nuk posedon teknologjinë dhe kapacitetet teknike të nevojshme për kryerjen e analizave molekulare me PCR.

Sipas saj, për shkak se paneli gastrointestinal nuk është ofruar më parë në këtë shërbim, nuk është bërë as kërkesë për furnizim me reagjentët specifikë që nevojiten për realizimin e tij.

Në sektorin privat, kostoja e kësaj analize ndryshon. Sipas verifikimeve të KOHËS në disa laboratorë, njëri e ofron panelin për 130 euro, ndërsa një tjetër për 80 euro. Katër laboratorë të tjerë të kontaktuar kanë deklaruar se nuk e kryejnë këtë test.

Shërbimi i Mikrobiologjisë Klinike ka mohuar se i referon pacientët në laboratorë privatë, duke theksuar se nuk punon drejtpërdrejt me pacientët dhe, rrjedhimisht, nuk kryen referime të tilla.

Analiza kryhet në IKSHPK

Paneli PCR gastrointestinal kryhet ndërkohë në Departamentin e Mikrobiologjisë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Sipas IKSHPK-së, panelet komerciale RT-PCR për identifikimin e patogjenëve gastrointestinalë përdoren kryesisht për pacientët e hospitalizuar, ndërsa në raste të caktuara edhe për pacientët ambulantorë me simptoma të rënda, diarre të zgjatur ose imunitet të dobësuar.

Instituti ka sqaruar se këto teste janë të kushtueshme dhe se jo çdo rast me diarre ka nevojë t’i nënshtrohet një paneli të tillë.

Nga QKUK-ja kanë bërë të ditur se futja e metodave molekulare PCR është pjesë e planeve zhvillimore të Shërbimit të Mikrobiologjisë Klinike. Për realizimin e tyre, megjithatë, nevojitet krijimi i kushteve teknike, sigurimi i pajisjeve dhe materialeve përkatëse, si dhe mbështetja e nevojshme buxhetore.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Mbi 3,700 raste të reja me tumore në Kosovë brenda një viti, më së shumti preken organet e tretjes

Next Story

Regjistrohet vdekja e parë në Kosovë e një pacienti të diagnostikuar me Virusin e Nilit Perëndimor

Latest from Blog

Go toTop