Temperaturat e larta nuk ndikojnë njësoj te të gjithë. Për personat që përdorin medikamente të caktuara, përballimi i vapës mund të jetë më i vështirë, pasi disa barna mund të ndikojnë në mënyrën se si organizmi rregullon temperaturën, djersitjen dhe hidratimin.
Sipas një artikulli të BBC, disa medikamente të përdorura gjerësisht për trajtimin e depresionit, ankthit, ADHD-së, tensionit të lartë të gjakut dhe sëmundjeve të zemrës mund të rrisin ndjeshmërinë ndaj temperaturave të larta.
Antidepresantët dhe rregullimi i temperaturës
Disa medikamente për shëndetin mendor mund të ndikojnë në hipotalamus, pjesën e trurit që luan rol të rëndësishëm në rregullimin e temperaturës së trupit.
Në këtë grup përfshihen edhe antidepresantët SSRI dhe SNRI, ku bëjnë pjesë barna si sertralina, fluoksetina, escitaloprami dhe venlafaksina. Sipas ekspertëve të cituar nga BBC, këto medikamente te disa persona mund të shtojnë djersitjen, duke rritur humbjen e lëngjeve dhe elektroliteve. Antidepresantët triciklikë, nga ana tjetër, mund të ndikojnë në djersitje dhe kështu në aftësinë e trupit për t’u ftohur.
Edhe disa antipsikotikë mund të pengojnë mekanizmat normalë të termorregullimit. Stimuluesit që përdoren për ADHD, ndërkaq, mund të rrisin prodhimin e nxehtësisë dhe të ngushtojnë enët e gjakut, duke e vështirësuar procesin natyror të ftohjes.
Kujdes edhe me ilaçet për tensionin dhe zemrën
Problemi nuk kufizohet vetëm te medikamentet psikiatrike. Diuretikët, disa barna për tensionin e lartë dhe medikamente të tjera kardiovaskulare mund të ndikojnë në ekuilibrin e lëngjeve dhe elektroliteve.
Diuretikët nxisin largimin e lëngjeve nga organizmi, ndërsa disa barna të tjera për tensionin mund të ndikojnë në mekanizmat që lidhen me etjen. Në temperatura të larta, kombinimi i këtyre faktorëve mund ta shtojë rrezikun e dehidratimit.
Edhe beta-bllokuesit, të përdorur për probleme të ndryshme kardiovaskulare, mund të kufizojnë qarkullimin e gjakut drejt lëkurës, duke e bërë më të vështirë largimin e nxehtësisë nga organizmi.
Personat e moshuar mund të jenë më të rrezikuar
Rreziku mund të jetë më i madh te të moshuarit, veçanërisht kur përdorin disa medikamente njëkohësisht. Përveç efekteve të barnave, organizmi me kalimin e moshës bëhet më pak efikas në përballimin e temperaturave ekstreme.
Shenja si marramendja, dobësia e pazakontë, konfuzioni, dhimbja e kokës, të përzierat, djersitja e tepërt ose mungesa e djersitjes dhe temperatura e lartë trupore nuk duhet të neglizhohen gjatë vapës.
Ekspertët theksojnë se pacientët nuk duhet t’i ndërpresin apo ndryshojnë vetë medikamentet për shkak të temperaturave të larta. Nëse ekziston shqetësim se një ilaç mund të ndikojë në aftësinë për ta përballuar vapën, duhet konsultuar mjeku ose farmacisti.
Burimi: BBC