19.09.2026
2 mins read

Virusi i Nilit Perëndimor në Kosovë: Konfirmohen 7 raste, dy persona kanë vdekur

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur se shtatë raste me virusin e Nilit Perëndimor (WNV) janë konfirmuar në Kosovë, ndërsa gjatë kësaj jave janë raportuar edhe dy raste me përfundim fatal.

Sipas IKSHPK-së, rastet janë konfirmuar në periudhën nga 7 gushti deri më 18 shtator 2026, përmes analizave të kryera në Laboratorin e Mikrobiologjisë.

Nga shtatë personat e infektuar, pesë janë meshkuj dhe dy femra. Dy prej rasteve i përkasin grupmoshës 10–19 vjeç, ndërsa pacientët e tjerë janë të grupmoshave të ndryshme, deri në 79 vjeç.

Numri më i madh i rasteve është regjistruar në Gjakovë, me tre të infektuar. Nga një rast është konfirmuar në Prishtinë, Shtime, Ferizaj dhe Pejë.

Të shtatë pacientët janë hospitalizuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Sipas të dhënave të Institutit, tre pacientë kanë shfaqur shenja klinike të meningjitit akut, tre të meningoencefalitit akut, ndërsa një pacient është paraqitur me gjendje febrile.

Dy raste me përfundim fatal

IKSHPK ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave janë raportuar edhe dy raste të vdekjes të lidhura me virusin e Nilit Perëndimor.

Nga analiza fillestare epidemiologjike nuk është evidentuar ndonjë lidhje ndërmjet personave të infektuar. Për këtë arsye, rastet janë klasifikuar si sporadike. Vetëm njëri nga shtatë pacientët ka raportuar se kishte udhëtuar jashtë Kosovës.

Sipas të dhënave të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), nga fillimi i sezonit të transmetimit të virusit në vitin 2026 deri më 10 shtator, në 15 shtete evropiane janë identifikuar gjithsej 1,285 raste te njerëzit.

Rritet vigjilenca, kërkohet dezinsektim kundër mushkonjave

IKSHPK ka njoftuar se Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik kanë kontaktuar komunat për rritjen e vigjilencës dhe ndërmarrjen e masave parandaluese.

Në Gjakovë, ku janë regjistruar tri raste, ekipet e IKSHPK-së dhe QRSHP-së në Gjakovë po zhvillojnë hetime epidemiologjike në terren. Aktivitete të ngjashme janë ndërmarrë edhe në Ferizaj.

Instituti u ka kërkuar komunave, veçanërisht atyre ku janë konfirmuar raste, që të intensifikojnë dezinsektimin kundër mushkonjave dhe eliminimin e vendeve ku ato mund të shumohen.

Qytetarëve u rekomandohet përdorimi i repelentëve kundër mushkonjave, veshja e rrobave që mbulojnë sa më shumë trupin, vendosja e rrjetave mbrojtëse në dritare dhe kujdes i shtuar gjatë qëndrimit jashtë.

Personat që kanë udhëtuar në zona ku janë raportuar infeksione të transmetuara nga mushkonjat këshillohen të monitorojnë gjendjen e tyre shëndetësore pas kthimit.

Në rast të temperaturës, dhimbjes së kokës, lodhjes, skuqjes së lëkurës apo shfaqjes së simptomave neurologjike, IKSHPK rekomandon që qytetarët të kërkojnë vlerësim mjekësor.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Mbi 500 milionë vjet histori brenda trurit tonë – çfarë zbuluan shkencëtarët

Next Story

Virusi i Nilit Perëndimor: Si transmetohet, cilat janë simptomat dhe si mund të mbrohemi?

Latest from Blog

Go toTop