Në depresion, faji shpesh nuk lidhet me realitetin, por me mënyrën se si truri i përpunon emocionet. Ekspertët paralajmërojnë se ai mund ta shtyjë personin drejt izolimit, vetëkritikës së tepruar dhe humbjes së ndjenjës së vlerës
Faji është pjesë natyrale e përvojës njerëzore, por në kontekstin e depresionit shpesh merr një formë tjetër. Në vend që të shërbejë si busull e brendshme drejt përgjegjësisë, mund të kthehet në barrë që ndryshon mënyrën si e shohim veten dhe botën përreth.
Në rastet më të rënda, ai mund të çojë edhe në perceptim të shtrembëruar, duke krijuar bindjen se personi është përgjegjës për ngjarje mbi të cilat nuk ka pasur asnjë kontroll, madje as lidhje direkte.
Situata bëhet edhe më e ndërlikuar sepse ky simptomë shpesh neglizhohet, ndonëse studimet tregojnë se intensiteti i tij lidhet drejtpërdrejt me thellësinë e depresionit.
Faji në depresion: Më shumë se një emocion i zakonshëm
Në aspektin klinik, faji te depresioni rrallë shfaqet i vetëm. Shpesh shoqërohet me turp dhe tërheqje nga shoqëria, duke e futur personin në një rreth vicioz izolimi.
Sa më shumë që tërhiqet, aq më shumë mbetet vetëm me mendimet e veta, të cilat mund të bëhen gjithnjë e më negative.
Studimet në fushën e psikiatrisë tregojnë se ndjenja e tepërt e fajit mund të rrisë vetëkritikën dhe introspeksionin e tepruar. Në forma më të lehta të depresionit kjo ndonjëherë mund të ndihmojë në kuptimin e emocioneve personale, por në rastet më të rënda faji humb këtë funksion dhe bëhet shkatërrues, transmeton Telegrafi.
Çfarë thotë shkenca: Ku takohen hormonet, truri dhe emocionet
Hulumtimet moderne tregojnë se depresioni nuk është vetëm gjendje psikologjike, por edhe proces biologjik.
Çrregullimi i hormoneve të stresit, sidomos kortizolit, mund të ndikojë në funksionimin e trurit dhe në përpunimin e emocioneve.
Interesant është fakti se mëlçia luan rol të rëndësishëm në shpërbërjen e hormoneve, përfshirë edhe kortizolin. Kur funksioni i saj nuk është optimal, çekuilibri hormonal mund të jetë më i theksuar, duke ndikuar edhe më shumë në stabilitetin emocional.
Me fjalë të tjera, ekziston një lidhje e ndërlikuar mes trupit dhe psikikës. Çrregullimi në një sistem mund të reflektohet te tjetri, duke thelluar simptoma si faji dhe ndjenja e pavlerësisë.
Kur ndjenja e fajit mund të bëhet e rrezikshme
Në format më të rënda të depresionit, faji mund të shndërrohet në bindje se personi nuk ka vlerë ose se është barrë për të tjerët.
Këto mendime nuk bazohen në realitet, por personi i përjeton si të vërteta absolute. Pikërisht kjo mënyrë të menduari mund të jetë veçanërisht e rrezikshme, sepse lidhet me shfaqjen e mendimeve vetëvrasëse.